Të gjitha lajmet Lajm

DigitMak dhe transformimi digjital i sektorit të biznesit në fokus të një takimi në Odën Ekonomike

Qendra Evropiane e Inovacionit Digjital – DigitMak u prezantua para kompanive anëtare të organeve dhe trupave të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut, në kuadër të takimit me ministrin e transformimit digjital, Stefan Andonovski. Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e digjitalizimit të proceseve të biznesit, zbatimin e teknologjive të reja dhe mbështetjen e inovacionit në kompanitë vendase.

Takimi u mbajt me nismën e kryetarit të Odës Ekonomike, Branko Azeski, ndërsa ministri Andonovski prezantoi projektin “Transformimi digjital i sektorit privat në Maqedoninë e Veriut”, si dhe shërbimet dhe zgjidhjet elektronike në dispozicion të kompanive.

Prezantimi i DigitMak para komunitetit të biznesit u jep kompanive mundësinë të njihen me mbështetjen që kanë në dispozicion për zbatimin e teknologjive digjitale, zhvillimin e zgjidhjeve inovative dhe përmirësimin e veprimtarisë së tyre.

Gjatë takimit, Azeski theksoi rëndësinë e digjitalizimit për zvogëlimin e barrës administrative, kursimin e kohës dhe rritjen e konkurrencës dhe potencialit eksportues të kompanive. Ai paralajmëroi gjithashtu krijimin e një organi operativ, të përbërë nga përfaqësues të Odës Ekonomike dhe Ministrisë, i cili do të punojë në identifikimin e dobësive në proceset ekzistuese digjitale dhe përmirësimin e tyre.

Ministri Andonovski informoi se në Portalin Kombëtar për Shërbime Elektronike janë në dispozicion rreth 360 shërbime, prej të cilave afërsisht 110 janë të dedikuara për personat juridikë. Gjithashtu, është në përgatitje një regjistër autorizimesh, përmes të cilit kompanitë do të mund të autorizojnë punonjës ose përfaqësues të tjerë për të përdorur shërbimet elektronike në emër të tyre.

Në takim u shqyrtuan edhe mundësitë për digjitalizimin e licencave dhe regjistrave, mbështetja përmes Qendrave Evropiane të Inovacionit Digjital, si dhe programet e reja për financimin e projekteve inovative dhe zhvillimin e zgjidhjeve të bazuara në inteligjencën artificiale. Në këtë drejtim, Andonovski njoftoi mbështetje për projekte inovative në vlerë të përgjithshme prej rreth 25 milionë eurosh, në kuadër të projektit evropian “Competitiveness and Business Facility”, për periudhën 2026–2030.

Më shumë lajme

Lexoni në vijim