Të gjitha lajmet Lajm

DigitMak në skenën evropiane: Modeli ynë i mbështetjes u prezantua në Jülich dhe Dortmund

Gjatë shtatorit 2026, Qendra Evropiane e Inovacionit Digjital – DigitMak u prezantua në dy konferenca ndërkombëtare në Gjermani, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave nga Maqedonia e Veriut me organizata, kompani dhe qendra të inovacionit digjital nga ekosistemi më i gjerë evropian.

Në të dy aktivitetet mori pjesë Aleksandar Stamboliev, partner në konsorciumin DigitMak dhe drejtor ekzekutiv i Business Accelerator UKIM (BAU). Ai prezantoi qasjen që ndjek DigitMak për mbështetjen e kompanive dhe ndërmarrjeve të reja (start-up).

DigitMak në DEEP Startup Ecosystem Conference 2026

Mundësia e parë për ndarjen e kësaj përvoje ishte konferenca DEEP Startup Ecosystem Conference 2026, e mbajtur më 10 dhe 11 shtator në Jülich, Gjermani. Konferenca mblodhi organizata, institucione dhe investitorë që punojnë për zhvillimin e ekosistemeve më të forta dhe më të ndërlidhura të ndërmarrjeve të reja. Stamboliev mori pjesë si folës në panelin “Perspektiva globale për zhvillimin e ekosistemeve të suksesshme të ndërmarrjeve të reja” (Global Perspectives on Building Thriving Startup Ecosystems).

Gjatë panelit u ndanë përvoja nga Maqedonia e Veriut lidhur me zhvillimin e ekosistemit të ndërmarrjeve të reja dhe mënyrën se si nismat dhe instrumentet e ndryshme evropiane mund të ndërlidhen në një sistem më të integruar mbështetjeje.

Vëmendje e veçantë iu kushtua modelit të mbështetjes që zbaton DigitMak dhe qasjes ndaj klientit: nga identifikimi i nevojave dhe vlerësimi i pjekurisë digjitale, te orientimi drejt shërbimeve të përshtatshme dhe ofrimi i mbështetjes për trajnime, zhvillim aftësish, digjitalizim, përdorim të inteligjencës artificiale dhe qasje në financim.

Prezantimi theksoi edhe rëndësinë që ka lidhja e qendrës DigitMak me ekosistemin më të gjerë të mbështetjes, në mënyrë që kompanitë dhe ndërmarrjet e reja të marrin mbështetje të koordinuar, sipas nevojave të tyre konkrete.

DigitMak në EDIH DAYS @digitalweek

Vetëm pak ditë më vonë, kjo përvojë u prezantua edhe në aktivitetin EDIH DAYS @digitalweek, të mbajtur nga 15 deri më 17 shtator në Dortmund, këtë herë me fokus më të drejtpërdrejtë te rrjeti EDIH.

Aktiviteti mblodhi qendra evropiane të inovacionit digjital, subjekte biznesi, ndërmarrje të reja dhe partnerë të tjerë të ekosistemit. DigitMak ishte pjesë e sesionit kushtuar prezantimit të shërbimeve përkatëse të qendrave EDIH nga Ballkani Perëndimor, Ukraina dhe Moldavia, të organizuar në bashkëpunim me GIZ-in.

Edhe këtu, në qendër të prezantimit ishte rrugëtimi i klientit në qendrën DigitMak, përkatësisht mënyra se si një kompani, pas identifikimit fillestar të nevojave të saj, orientohet drejt shërbimeve dhe formave të mbështetjes që u përgjigjen më së miri sfidave dhe objektivave të saj.

Përveç prezantimit të qendrës DigitMak, pjesëmarrja në të dy aktivitetet mundësoi shkëmbim të drejtpërdrejtë përvojash me qendra të tjera EDIH dhe organizata evropiane, si dhe diskutime për partneritete të mundshme dhe mundësi të ardhshme bashkëpunimi.

Përmes pjesëmarrjes në aktivitete të tilla ndërkombëtare, DigitMak vazhdon ta përfaqësojë Maqedoninë e Veriut në ekosistemin evropian të inovacionit, duke shkëmbyer përvoja dhe duke krijuar lidhje të reja që mund të ndihmojnë në zhvillimin e mëtejshëm të shërbimeve për transformimin digjital të kompanive dhe organizatave në vend.

Më shumë lajme

Lexoni në vijim