Fondacioni MIR mori pjesë në Apply AI Summit 2026 në Bruksel – samiti evropian kushtuar përdorimit të inteligjencës artificiale
Më 17 nëntor 2026, në Bruksel, Belgjikë, u mbajt Apply AI Summit 2026, një ngjarje e rëndësishme evropiane e organizuar nga Komisioni Evropian, kushtuar përshpejtimit të përdorimit të inteligjencës artificiale (IA) në industritë strategjike dhe në sektorin publik. Në samit morën pjesë Gabriela Kostovska Bogoeska, drejtoreshë ekzekutive e Fondacionit për menaxhim dhe kërkime industriale (MIR), dhe Emilija Andonova, koordinatore e programeve në Fondacionin MIR. Të dyja përfaqësueset janë pjesë e ekipit të qendrës evropiane të inovacionit digjital DigitMak, e cila mbështet transformimin digjital dhe përdorimin e teknologjive të përparuara, përfshirë inteligjencën artificiale, në Maqedoninë e Veriut.

Ngjarja mblodhi përfaqësues të institucioneve evropiane, industrisë, komunitetit të kërkimit shkencor dhe inovacionit, ndërmarrjeve të reja (start-up), si dhe hartues të politikave, me synimin e përbashkët për të nxitur një përdorim më të gjerë, të përgjegjshëm dhe efektiv të inteligjencës artificiale në Evropë. Apply AI Summit 2026 shënoi përvjetorin e parë të miratimit të strategjisë evropiane për përdorimin e inteligjencës artificiale (Apply AI Strategy) dhe njëkohësisht ishte aktiviteti përmbyllës i edicionit të parë të Muajit evropian të inovacionit në fushën e inteligjencës artificiale (European AI Innovation Month).
Në qendër të samitit ishin mundësitë për përdorimin e një inteligjence artificiale të besueshme e novatore, me njeriun në qendër, për të rritur aftësinë konkurruese të ekonomisë evropiane. Përmes diskutimeve tematike në panele, prezantimeve të zgjidhjeve praktike dhe sesioneve ndërvepruese, u trajtuan disa fusha strategjike, si shëndetësia, energjetika, prodhimi, lëvizshmëria, administrata publike, siguria kibernetike dhe zhvillimi i fuqisë punëtore.
Vëmendje e veçantë iu kushtua sovranitetit teknologjik evropian, sigurisë së inteligjencës artificiale, kuadrit rregullator dhe mundësive për nxitjen e inovacionit përmes bashkëpunimit ndërmjet sektorit publik dhe atij privat. Në program u përfshi edhe nisma Apply AI Startup Award, e cila synon të vlerësojë dhe të promovojë ndërmarrjet e reja novatore evropiane që zhvillojnë zgjidhje të bazuara në inteligjencën artificiale.
Pjesëmarrja e Fondacionit MIR në këtë samit të rëndësishëm evropian ofroi mundësi për t’u njohur me politikat dhe prirjet më të fundit evropiane në fushën e inteligjencës artificiale, për të shkëmbyer përvoja dhe për të krijuar kontakte me aktorë përkatës të ekosistemit evropian të inovacionit.

Këto veprimtari lidhen edhe me angazhimin e Fondacionit MIR në kuadër të qendrës evropiane të inovacionit digjital DigitMak, përmes së cilës mbështeten transformimi digjital i kompanive dhe përdorimi i teknologjive të përparuara digjitale, përfshirë inteligjencën artificiale. Përmes pjesëmarrjes në nismat evropiane dhe në platformat e bashkëpunimit, Fondacioni MIR vazhdon të kontribuojë në lidhjen e ekosistemit vendor të inovacionit me zhvillimet në nivel evropian, në nxitjen e inovacionit dhe në përdorimin e përgjegjshëm të teknologjive të reja.
Më shumë informacion për ngjarjen: https://digital-strategy.ec.europa.eu/en/policies/apply-ai-summit
Lexoni në vijim
Lajm
DigitMak forcon bashkëpunimin rajonal në fushën e inovacionit përmes partneriteteve strategjike me AgroDigiRise dhe EDIHCS
Qendra Evropiane e Inovacionit Digjital (EDIH) – DigitMak forcon bashkëpunimin rajonal dhe ndërkufitar përmes nënshkrimit të…
Lexo
Lajm
Manufacturing 2026: DigitMak dhe transformimi digjital i kompanive prodhuese
Më 30 tetor, në Shkup, u mbajt konferenca vjetore “Manufacturing 2026: Transformation Towards Innovation”, e organizuar…
Lexo
Lajm
DigitMak dhe transformimi digjital i sektorit të biznesit në fokus të një takimi në Odën Ekonomike
Qendra Evropiane e Inovacionit Digjital – DigitMak u prezantua para kompanive anëtare të organeve dhe trupave…
Lexo












